
Balje pas pjesmarrjes në protestë: Vota për Specialen ishte gabimi më i madh në karrierën time
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka marrë pjesë në protestën masive të mbajtur të enjten në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Balje ka pranuar se kishte votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, por e cilësoi atë si veprimin më të gabuar të karrierës së saj politike.
“Unë e ndjej shumë mirë. Unë vërtetë kam votu për këtë gjykatë, duhet me e pranu. Unë e konsideroj po ashtu si gabim më të madh në karrierën time. Kam pasur shumë presion. Në fund votova sepse kam kuptu se duhet me votu në mënyrën qysh me prezantu faqja e bardhë para botës”, tha Balje.
Ajo theksoi se ka vizituar Hagën dhe e ka parë nga afër gjendjen e të akuzuarve, ndërsa shtoi se beson që së shpejti ata do të lirohen.
“Shkova në Hagë, vërtetë nuk është e lehtë. Unë mendoj se kanë gabu, se pa marrë parasysh edhe na jem krejt në Kosovë dhe e kemi të njëjtin qëllim. Unë e lus Allahun se naj hap pozitiv ka me bë”, u shpreh deputetja.
Balje përfundoi duke theksuar se nëse do të kishte mundësi, do ta tërhiqte menjëherë votën për formimin e kësaj gjykate.