
IKSHPK: Në Kosovë dhe rajon s’ka raste të raportuara me virusin “Chikungunya”
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës [IKSHPK] ka dalë me një sqarim dhe këshilla në lidhje me virusin “Chikungunya”, i cili ka infektuar mijëra njerëz në Kinë.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në Kosovë dhe në vendet në rajon nuk është raportuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje, transmeton Zeri.info.
Instituti ka bërë të ditur se ka siguruar teste diagnostikuese për konfirmim të rasteve të dyshimta, ndërsa ka dhënë këshilla se si të mbroheni dhe cilat janë simptomat e këtij virusi.
Shkrimi i plotë:
Në kuadër të mbikëqyrjes së vazhdueshme të sëmundjeve ngjitëse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vëmendje zhvillimet sa i përket situatës epidemiologjike me virusin “Chikungunya” në nivel global, pas raportimeve për rritjen e numrit të rasteve në disa vende të botës.
“Chikungunya” është një sëmundje virale e transmetuar përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht të llojeve Aedes aegypti dhe Aedes albopictus.
Kjo sëmundje nuk përhapet nga personi në person, por vetëm përmes mushkonjës që e bart virusin.
Në Kosovë dhe në vendet në rajon nuk është raportuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje.
Me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit, IKSHPK-ja rekomandon qytetarët që, potencialisht, udhëtojnë në vendet ku janë regjistruar raste, që të zbatojnë masat parandaluese si në vijim:
Përdorni repelentë kundër mushkonjave
Mbuloni sipërfaqet e ekspozuara të trupit me rroba të gjata
Reduktoni ekspozimin ndaj mushkonjave
Nëse zhvilloni simptoma si ethe, temperaturë, dhimbje kyçesh, skuqje lëkure brenda dy javësh nga kthimi në vend, njoftoni mjekun dhe tregoni vendin e udhëtimit.
IKSHPK-ja njofton se në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve laboratorike, ka siguruar teste diagnostikuese për konfirmim të rasteve të dyshimta.
Informata shtesë
Çfarë është “Chikungunya”?
Chikungunya është një sëmundje virale e transmetuar përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht të llojeve Aedes aegypti dhe Aedes albopictus. Kjo sëmundje nuk përhapet nga personi te personi, por vetëm përmes mushkonjës që bart virusin.
Emri dhe origjina
Fjala “Chikungunya” vjen nga një gjuhë lokale në Tanzani dhe nënkupton “ai që përkulet”, për shkak të mënyrës së ecjes së pacientëve që vuajnë nga dhimbje të forta në kyçe. Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1952, dhe që atëherë është përhapur në mbi 110 vende të botës.
Simptomat
Simptomat shfaqen zakonisht 3–7 ditë pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar dhe përfshijnë:
Ethe të larta
Dhimbje të forta në kyçe (simptomë karakteristike)
Dhimbje muskujsh
Dhimbje koke
Lodhje dhe plogështi
Skuqje të lëkurës
Ënjtje e kyçeve.
Në shumicën e rasteve, përmirësimi ndodh brenda një jave, por dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për muaj ose vite, veçanërisht te të moshuarit.
Kush është në rrezik më të lartë?
• Të porsalindurit (nëse nëna është e infektuar)
• Personat mbi 65 vjeç
• Personat me sëmundje kronike (si diabeti, sëmundje të zemrës, hipertensioni)
Megjithëse simptomat mund të jenë të rënda, vdekjet nga “Chikungunya” janë të rralla.
Diagnostikimi dhe trajtimi
Nuk ka ilaç specifik antiviral për “Chikungunya”.
• Diagnoza bëhet përmes testeve të gjakut që zbulojnë praninë e virusit ose antitrupave.
• Trajtimi është simptomatik:
• Përdorimi i paracetamolit për temperaturë dhe dhimbje
• Pushim i mjaftueshëm
• Hidratim i mirë (ujë dhe lëngje)
• Shmangia e aspirinës ose ibuprofenit nëse dyshohet për dengue
A ka vaksinë?
Aktualisht nuk ka vaksinë të licencuar për përdorim të gjerë kundër “Chikungunya”, edhe pse disa janë në fazë testimi. Prandaj, parandalimi është masa më efektive.
Si mbrohemi nga “Chikungunya”?
• Elimino ujin e ndenjur rreth shtëpisë (vazo, kazanë, goma, enë plastike)
• Mbulo enët me ujë dhe pastroji rregullisht
• Vendos rrjeta në dritare dhe përdor repelent kundër mushkonjave
• Vishu me rroba me mëngë të gjata, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje
Situata globale.
“Chikungunya” është përhapur në më shumë se 110 vende në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe Evropë. Ndryshimet klimatike dhe rritja e udhëtimeve ndërkombëtare kanë rritur rrezikun e përhapjes së saj në zona të reja.
Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO)