
Çitaku për vendimin e Kushtetueses: Jashtëzakonisht i qartë, si e zeza në të bardhë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe brenda afatit 30-ditor.
Sipas vendimit të publikuar të premten, një kandidat i vetëm mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme, pasi nuk është zbatuar aktgjykimi i 26 qershorit të këtij viti.
Për këtë ka folur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila në emisionin FIVE të Dukagjinit ka theksuar se për partinë e saj edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë “i qartë si loti”.
Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe kryesuesin e seancës, Avni Dehari, se kanë shpërfillur me vetëdije aktgjykimin e gjykatës të 26 qershorit dhe kanë devijuar nga rendi i ditës i dakorduar më 8 prill.
Kësaj radhe, vendimi i Kushtetueses është shumë i qartë, sipas Çitakut.
“Për PDK-në edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë i qartë si loti. Që nga seancë e parë, pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, paraprak, ne në mënyrë të vazhdueshme i kemi bërë thirrje kryesuesit të seancës që të mos ta shkel Kushtetutën, mos ta shkel vendimin e Gjykatës Kushtetues. Dhe t’i kthehet rendit të ditës, të dakorduar me datën 8 prill, nga ish-kryetari zoti Konjufca dhe liderët e partive parlamentare. Për fat të keq, në mënyrë të vetëdijshme LVV-ja përmes kryesuesit Avni Dehari pati vendosur që të shpërfillë në plotni, aktgjykimin e Kushtetueses. Dhe filluan t’i japin një lloj interpretimi, ashtu siç i konvenonte botëkuptimit të tyre. Dhe u detyruam që sërish të dërgojmë pyetje shtese në gjykatë. Kësaj radhe është e zezë në të bardhë, jashtëzakonisht e qartë, pa asnjë lloj ambiguiteti që kryesuesi uzurpuar foltoren Kuvendit, seancën plenare duke mos lejuar konstituimi. Vendimi i gjykatës sot e vulos atë që PDK-ja e ka thënë tash e disa muaj më zë të lartë…”, ka thënë Çitaku.