
Gati 200 raste të sulmeve në shkolla dhe përreth tyre nga janari deri më tani
Në rrjetet sociale gjatë së enjtes qarkulloi një video ku shpërfaqte dhunën fizike që disa vajza të mitura po i bënin një moshatares së tyre në Gjilan. Sipas burimeve të RTV21 brenda Policisë së Kosovës njëra nga të dyshuarat është ndaluar për 48 orë, ndërsa tri të tjerat janë liruar në procedurë të rregullt. Por sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, brenda këtij viti në shkolla dhe përreth tyre janë 183 raste të sulmeve dhe lëndimeve të të miturve.
Gjatë vitit 2024, disa nga rastet më të theksuara të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre janë: lëndim i lehtë trupor 170 raste, lëndim i rëndë trupor 28 raste, sulm 89 raste.
Gjatë vitit 2024 tek të miturit në dhe përreth shkollave janë 10 raste të ngacmim seksual. Brenda vitit 2025 deri në këtë periudhë, janë 121 raste të lëndimit të lehtë trupor, lëndim i rëndë 8 raste, sulm 54 raste, ndërsa ngacmim seksual 7 raste. Bazuar në të dhënat e raportit, me numër me të madh të rasteve prin rajoni i Prishtinës, pasuar nga Prizreni, Peja ndonjëherë edhe Ferizaj.
Dhuna mes të miturve është rritur tek gjinia femërore thotë Pajtim Zeqiri, nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Terre Des Hommes. Sipas Zeqirit ekspozimi i tepërt i të miturve ndaj rrjeteve sociale ka bërë që të njejtit të jenë më të dhunshëm.
Në Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale shihet shqetësuese fenomeni i dhunës mes adoleshentëve. Sociologu Vehbi Mujku vlerëson se dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhuna mes të rinjve i referohet dhunës që ndodh mes individëve të moshës 10-29 vjeç, të cilët nuk kanë lidhje mes vete dhe mund edhe të mos njihen. Kjo dhunë, zakonisht, ndodh jashtë shtëpisë. Ajo përfshin një sërë aktesh, nisur nga ngacmimi dhe grindja fizike e deri te sulmet më të rënda seksuale dhe fizike ose vrasja./RTV21