Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin

Aktuale August 10, 2025 - 13:33

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjyqtari serb i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA).

Haxhiu, sot në një konferencë për media, ka folur për një letër të vitit 2018 të cilën Lëvizja Vetëvendosje ia kishte dërguar presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi, me kërkesë që mos ta emërojë si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Radomir Labanin.

Ajo thotë se asokohe kishin kërkuar nga kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, që të filloheshin procedurat për shkarkimin e Labanit, por kërkesa ishte refuzuar me arsyetimin se përbënte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës.

“Radomir Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-as”, tha Haxhiu.

Sipas saj, Laban ka bashkëpunim me terroristin Millan Radoiçiq.

Haxhiu tha se, Radomir Laban paraqet kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. 

Ajo kërkoi që të nis procedura për shkarkim të tij nga Gjykata Kushtetuese.

“Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë. Një përfundoi me dënim sepse vetë ai e pranoi fajësinë. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, Radomir Laban gjatë vitit 2006 ishte pjesë e doganave të Serbisë, zyrtar për Njësinë për Intelegjencë.

"Ai u përfshi në aktivitete kriminale dhe në korrupsion, me ç’rast ishte dënuar me 6 vite heqje lirie. Ky rast duhet të jetë momenti kur BIA e ka kompromentuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë. Enigmë e madhe mbetet edhe emërimi i tij, por edhe qëndrimi i tij në pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Laban ka raporte shumë të afërta me kryeteroristin Millan Radoiçiq", tha ajo.

Kush është Radomir Laban?

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.