Gruaja e “Katanës” për vrasjen e trefishtë: Kur do të forcohet drejtësia në Kosovë?
Foto: Laura Hasani

Gruaja e “Katanës” për vrasjen e trefishtë: Kur do të forcohet drejtësia në Kosovë?

Aktuale August 10, 2025 - 17:29

Gruaja e heroit kombëtar, Agim Ramadanit, Shukrija, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi sot në qytetin e Gjilanit.

Ajo tha se sot Gjilani u trondit nga plumbat që morën tre jetë njerëzisht në mes të qytetit, teksa e cilësoi këtë një tjetër ditë të zezë e një lajm që s’duhej të ndodhte.

“Dje, të rinjtë nga diaspora u përplasën për tejkalime banale, duke lënë pas gjurmë dhune. Para tre ditësh, adoleshentë dhunuan shoqen e tyre – e rrahën brutalisht dhe e filmuan, për ta shpërndarë në rrjete sociale,për ta tallur”.

“E ne, njerëzit e thjeshtë, të nemitur, vetëm i shikojmë këto pamje, i dëgjojmë këto zëra, e mbajmë frymën,duke u lutur në heshtje: Që të jenë fëmijët tanë mirë?. Që të jenë të sigurt familjarët tanë që kanë dalë për një kafe, një shëtitje, një çast të bukur pushimi”, shkroi ajo, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Ramadani shkroi se çdo ditë që zbardh, duke si një tjetër faqe e një lajmi të zi, pasi tha se na vret dhuna, na lodh padrejtësia e na frikëson mungesa e sigurisë.

“Na hesht ndjenja që dikur na mbante gjallë, dashuria ndaj atdheut, sigurisë dhe qytetit ku u rritëm. Kur do të forcohet drejtësia në Kosovë? Kur ligji do të vlejë për të gjithë njësoj?”.

“Kur shteti do të na mbrojë – jo veç me fjalë në konferenca, por me vepra në rrugë? Na duhet më shumë se heshtje. Na duhet drejtësi”.

“Na duhet ndërgjegje, përgjegjësi pse u lëshua nga burgu fajdexhiu që sot kreu krimin e trefishtë?! Dhe sa fajdexhinj tjerë sorollaten të lirë në qytetin tonë?! Kush merr përgjegjësinë për këta njerëz që po na e nxajnë frymën”, shkroi ajo.

Në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Gjilan teksa i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër, i dyshuar nga policia është Mefail Shkodra, i cili tashmë është në kërkim.