
Vetëvendosje kandidon Enver Halitin për kryetar të Ferizajt
Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar zyrtarisht Enver Halitin si kandidat për kryetar të Ferizajt në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një aktivitet të mbajtur në Ferizaj, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe figura të tjera të larta të VV-së, përfshirë sekretarin organizativ Alim Rama, ministrin Hekuran Murati, deputetët Valon Ramadani e Adelina Grainca, ish-deputetët Alban Bajrami e Shqipe Metaj-Isufi, zëvendësministrin Vigan Qorolli dhe drejtues të qendrës së VV-së në Ferizaj.
Vetëvendosje thotë se Haliti vjen me “përvojë, integritet dhe vizion” për ta bërë Ferizajn shembull të zhvillimit modern në Kosovë, me infrastrukturë të lidhur, ekonomi në rritje, arsim e kulturë të fuqizuar dhe qeverisje të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
“Ferizaj, koha për fitoren e madhe ka ardhur”, u tha në prezantim, duke u shprehur besimi se me Halitin kryetar dhe VV-në në qeverisje, qyteti do të ecë me hapa të sigurt drejt zhvillimit, drejtësisë dhe barazisë.