Gashi: Marrëveshja e Ohrit, themel për barazi dhe paqe

Gashi: Marrëveshja e Ohrit, themel për barazi dhe paqe

Aktuale August 13, 2025 - 12:50

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përkujtuar sot 24-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si një dokument historik që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, barazi dhe bashkëjetesë në vend.

“Sot përkujtojmë 24-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e cila jo vetëm që i dha fund një konflikti, por hapi rrugën për paqe, barazi dhe bashkëjetesë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Gashi në një reagim publik.

Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të trajtohet thjesht si një simbol historik, por duhet të shndërrohet në një standard praktik që garanton funksionimin demokratik të shtetit.

“Është koha që Marrëveshja e Ohrit të mos jetë më vetëm simbol i paqes, por një standard praktik i barazisë, përfaqësimit dhe drejtësisë. Duhet të kalojmë nga një respektim minimal, në një avancim të saj që i shërben zhvillimit demokratik, në përputhje me realitetin dhe aspiratat tona evropiane”, tha ai.

Gashi bëri thirrje për unitet ndërmjet të gjithë qytetarëve të vendit, duke e cilësuar Marrëveshjen si një themel të përbashkët për një shtet që u përket të gjithëve.