Sqaron Komuna e Prishtinës: Punimet rreth Katedrales nuk ndërhyjnë në zonën e mbrojtur
Foto: Laura Hasani

Sqaron Komuna e Prishtinës: Punimet rreth Katedrales nuk ndërhyjnë në zonën e mbrojtur

Aktuale August 13, 2025 - 15:34

Punimet, që sot filluan rreth katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë, nuk kanë të bëjnë me zonën e mbrojtur në sheshin “Xhorxh Bush”, e cila një kohë të gjatë ishte shkas përplasjesh midis pushtetit komunal të Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës.

Drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, tha se punimet që po zhvillohen janë pjesë e fazës së dytë dhe nuk ndërhyjnë në zonën që Ministria e Kulturës pretendon se është e mbrojtur.

“Këtë pjesë ku jemi duke punuar tash është një zonë, e cila nuk ka kurrfarë interferimi me zonën mbrojtëse, në të cilën thirret Ministria e Kulturës ose Inspektorati. Për këtë arsye kjo pjesa rreth Katedrales, një pjesë e sheshit ‘Xhorxh Bush’ dhe rruga ‘Mark Sopi’, aty mundemi të punojmë në çdo kohë. Tash është faza e dytë, ku është duke u bërë ndërrimi i infrastrukturës nëntokësore. Do të thotë përreth Katedrales edhe rruga ‘Mark Sopi’ me një pjesë të sheshit ‘Xhorxh Bush” ato nuk interferohen në këtë zonën, në të cilën po pretendohet se është e mbrojtur. Ne po punojmë brenda mundësive tona aq sa po kemi mundësi t’i kryejmë punët tona”, tha për EO-në drejtori Kastrati.