Policia e Shtetit me dronë po monitoron zonat për të identifikuar personat që po shkaktojnë zjarre

Policia e Shtetit me dronë po monitoron zonat për të identifikuar personat që po shkaktojnë zjarre

Aktuale August 14, 2025 - 11:17

Shqipëria po vazhdon të përballet me situatë të rëndë për shkak të zjarreve.

Policia e Shtetit në një njoftim për media bën të ditur se nga qershori deri më sot janë deri sot, janë angazhuar maksimalisht për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve.

“Prej qershorit deri më datë 14 gusht, strukturat e Policisë kanë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.

Ndërkohë, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme ‘Shqiponja’, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre, gjersa theksojnë se blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.

“Mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse. Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre”, thuhet në reagim.