Murati: Bllokimi i Kuvendit nga opozita po pengon alokimin e buxhetit për RTK-në
Foto: Laura Hasani

Murati: Bllokimi i Kuvendit nga opozita po pengon alokimin e buxhetit për RTK-në

Aktuale August 15, 2025 - 17:55

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar lidhur me mosalokimin e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke theksuar se vonesa nuk ka lidhje me ekzekutivin, por është pasojë direkte e bllokimit të Kuvendit nga partitë ish-opozitare.

Sipas Muratit, ligji e përcakton qartë se buxheti i RTK-së alokohet me vendim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa Thesari vetëm ekzekuton pagesat sipas atij vendimi.

“Buxheti i RTK-së alokohet sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kështu e thotë ligji i buxhetit. Thesari vetëm bën ekzekutimin, sipas vendimit të Komisionit parlamentar.

Komisioni për Buxhet që do duhej me i nda mjetet, nuk ekziston aktualisht sepse partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim tash e disa muaj.

Të njejtit që po e mbajnë Kuvendin të bllokuar duke mos votuar, tani po mundohen që mungesën e alokimit të buxhetit të RTK-së t’ia faturojnë Qeverisë.

Po të mos e kishin bllokuar opozita konstituimin e Kuvendit, çështja e buxhetit të RTK-së as që do të ishte temë, sepse buxheti alokohet me automatizëm, sapo të ketë vendim nga Komisioni për Buxhet.

Bllokuesit e Kuvendit, tani po na tregojnë qysh ata e kanë shkelur ligjin duke miratuar në Qeveri alokimin e buxhetit për RTK për 3 muaj në vitin 2021, dhe po kërkojnë që edhe Qeveria jonë të bëjë të njejtën shkelje.

Në fakt, pikërisht për të evituar një situatë të tillë Komisioni për Buxhet nën kryesimin e deputetit Armend Muja kishte miratuar qysh në dhjetor të vitit të kaluar pagesën e këstit, jo për 3 muaj siç bëhet zakonsiht, por për 6 muaj (janar-qershor 2025). Kjo ishte bërë duke llogaritur në ndonjë vonesë eventuale deri në formimin e institucioneve pas muajit mars.

Por askush se ka menduar që PDK, LDK, dhe AAK do ta mbajnë të bllokuar kuvendin për kaq gjatë, vetëm e vetëm se janë kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit.

Kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë.

PS. Çuditërisht, asnjëherë nuk janë deklaruar në raport me kërkesën tonë që pozita e nënkryetarit t’i takojë dikujt që nuk vjen nga Lista Serbe. Pra, për opozitën bën Lista Serbe për nënkryetar, por nuk bën Albulena Haxhiu për Kryetare”, ka shkruar Murati.