Fillon aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2025/2026
Foto: Laura Hasani

Fillon aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2025/2026

Aktuale August 15, 2025 - 18:11

MASHTI ka hapur aplikimet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2025/2026.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se nga sot prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.

Për vitin shkollor 2025/2026, subvencionet do të ndahen si vijon:

80 € për nxënësit nga klasa I deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;

80 € për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Tekstet për klasat VI-IX sipas MASHTIT do të përdoren nga gjenerata e kaluar, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016, një praktikë e zbatuar edhe vitin e kaluar.

Procesi i aplikimit këtë vit konsiderohet më i lehtë, pasi llogaritë bankare të prindërve të regjistruara më parë mbeten aktive.