Ikja e serbit nga burgu i Mitrovicës, flet drejtori i SHKK: E pamundur të largohet pa ia hapur derën dikush
Foto: Laura Hasani

Ikja e serbit nga burgu i Mitrovicës, flet drejtori i SHKK: E pamundur të largohet pa ia hapur derën dikush

Aktuale August 15, 2025 - 19:16

Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK),  ka folur lidhur me ikjen e një të burgosuri nga burgu në veri të Kosovës, i cili ishte duke vuajtur dënimin për vrasje.

Ai ka thënë se i arratisuri kishte mbajtur afër 11 vite burg dhe se i kishin mbetur edhe 3 vite e gjysmë për të vuajtur.

Tutje, Dibrani ka bërë të ditur se pas marrjes së informatës për ikjen, kanë filluar hetimet e brendshme, duke përfshirë edhe Inspektoratin, në koordinim të ngushtë me policinë dhe prokurorinë e shtetit.

“Fillimisht, ne kemi pezulluar drejtorin e Qendrës së Paraburgimit atje, kemi pezulluar një Mbikëqyrës të Lartë, po ashtu tre oficerë korrektues, dhe tashmë kemi arrestimin e parë të një oficeri korrektues,” ka thënë ai.

Dibrani ka deklaruar se nuk është e mundur që të arratiset dikush nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë “pa ia hapur derën dikush”.

“Jo, është e vështirë, sepse vlerësohet si burg i sigurisë së lartë, është qendër paraburgimi dhe në asnjë rrethanë nuk mund të largohet një person pa pasur neglizhencë të skajshme të stafit ose edhe bashkëorganizim nga ana e stafit,” është shprehur ai. /dukagjini