
KOMF-i apel prindërve: Flitni me fëmijët kundër dhunës, edukoni për respekt dhe tolerancë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka bërë thirrje që prindërit dhe familjet të luajnë një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë dhe për të kultivuar respekt, tolerancë dhe mirëkuptim.
Sipas KOMF-it, dhuna mes bashkëmoshatarëve po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe po normalizohet si sjellje, çka kërkon veprim të menjëhershëm nga familja dhe shoqëria. Familja mbetet mjedisi ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre, ndaj roli i saj është kyç në parandalimin e dhunës.
KOMF-i u bën thirrje prindërve të flasin hapur me fëmijët për dhunën, të promovojnë sjellje paqësore dhe konstruktive, të ndjekin përmbajtjet që fëmijët konsumojnë dhe të bashkëpunojnë me shkollën për mbështetje. Për çdo shenjë të stresit, ankthit apo agresivitetit, prindërit duhet të kërkojnë mbështetje profesionale.
“KOMF-i thekson se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. Prindërit apo kujdestarët ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre. Duke folur me fëmijët, duke i dëgjuar ata dhe duke edukuar modele konstruktive e tolerante të sjelljes, ne të gjithë kontribuojmë në parandalimin e dhunës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për fëmijët tanë”, thekson KOMF-i.
Reagimi i plotë i KOMF-it, pa ndërhyrje:
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF apelon fuqishëm te prindërit dhe familjet të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.
Dhuna mes bashkëmoshatarëve po shfaqet gjithnjë e më hapur dhe po normalizohet si sjellje. Ky është një alarm serioz që kërkon veprim të menjëhershëm nga familjet, institucionet dhe e gjithë shoqëria, por mbi të gjitha nga familja, e cila mbetet mjedisi ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre.
KOMF-i bën thirrje që prindërit të flasin rregullisht dhe hapur me fëmijët për dukurinë e dhunës, format e saj, pasojat negative që ajo sjell në jetën dhe shëndetin mendor të fëmijëve, si dhe të promovojnë dhe edukojnë tek fëmijët e tyre, mënyra konstruktive dhe paqësore për të zgjidhur konfliktet. Edukimi për respekt, tolerancë dhe mirëkuptim duhet të fillojë në familje dhe të forcohet çdo ditë.
Nevojitet që prindërit të:
- Ndajnë kohë për biseda të hapura dhe të ndershme me fëmijët mbi dhunën dhe pasojat e saj.
- Promovojnë dhe modelojnë te fëmijët sjellje paqësore në marrëdhënie me të tjerët.
- Monitorojnë dhe orientojnë përmbajtjet që fëmijët shohin dhe ndajnë, sidomos në rrjetet sociale.
- Përkujdesen dhe monitorojnë mënyrën se si fëmijët e kalojnë kohën kur prindërit nuk janë të pranishëm.
- Kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me shkollën për të mbështetur fëmijën.
- Kërkojnë mbështetje profesionale kur fëmijët tregojnë shenja të stresit, ankthit ose sjelljeve agresive.
KOMF-i thekson se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. Prindërit ose kujdestarët ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre. Duke folur me fëmijët, duke i dëgjuar ata dhe duke edukuar modele konstruktive e tolerante të sjelljes, ne të gjithë kontribuojmë në parandalimin e dhunës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për fëmijët tanë. /Zëri