Kushtetuesja publikon aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja publikon aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit

Aktuale August 18, 2025 - 14:55

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

"Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë", u tha në aktgjykim.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kundërshtuar vendimin e 1 majit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

"Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, ushtrimi i funksionit të deputetëve të zgjedhur në pajtim me këtë Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit që rezulton në zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, dhe i shërben ruajtjes së rendit kushtetues dhe garantimit të funksionimit të institucioneve. Si rrjedhojë, Gjykata sërish nënvizon se nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa organi më i lart përfaqësues të jetë i konstituuar dhe të fillojë sa më parë me funksionimin e tij dhe ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve të tij kushtetuese", tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

"Gjykata sërish vë theksin në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që veprimet e tyre duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të njëjtit të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin", u shtua në aktgjykim.

Në aktgjykim u tha se seanca e nisur më 15 prill nuk është përmbyllur, pasi nuk janë kaluar edhe dy pika: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilat tani duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.

Njoftimi për këtë aktgjykim - i publikuar më 8 gusht - ishte mirëpritur nga partitë që më herët ishin në opozitë, por ishte kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte cilësuar si vendim arbitrar.

Disa orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.

Në aktgjykim nuk përmenden pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e respektojnë aktgjykimin, siç kishin bërë me aktgjykimin paraprak të publikuar më 26 qershor.

"Gjykata, fillimisht vë në dukje që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës", u tha në aktgjykim.

KËTU mund ta gjeni aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.