
Nis rrjedhja e afatit, nga sot brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë aktgjykim Kushtetuesja thekson se tashmë afati prej 30 ditësh për formimin e Parlamentit ka nisur të rrjedhë.
Tutje, kjo gjykatë shpjegon me saktësi se si duhet të veprohet gjatë seancës.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025 dhe në pajtim me paragrafin 2 të Nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tri) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të seancës konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim.
KËTU mund ta lexoni të plotë aktgjykimin e Kushtetueses. /Zëri