Kushtetuesja sqaron pse kufizoi votimin në tri herë për një kandidat për kryekuvendar
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja sqaron pse kufizoi votimin në tri herë për një kandidat për kryekuvendar

Aktuale August 18, 2025 - 15:30

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e plotë për bllokadën në Kuvend, ku ka urdhëruar që kryeparlamentari duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Në arsyetimin e këtij vendimi, ky institucion elaboron se propozimi i vazhdueshëm për votimin e një kandidati të njëjtë nga ana e grupit më të madh parlamentar, në këtë rast të LVV-së, nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit.

“Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykim.

KËTU mund ta lexoni të plotë aktgjykimin e Kushtetueses. /Zëri