
Kushtetuesja: Avni Dehari tejkaloi kompetencat formale dhe solemne me veprimet e përsëritura për të mbajtur seancën
Gjykata Kushtetuese sot e ka publikuar aktgjykimin e plotë në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Pas publikimit të tij nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor për formimin e Parlamentit.
Kushtetuesja thekson shkeljet e kryesuesit Avni Dehari, me veprimet e tij të përsëritura.
Sqarimi bëhet në pikën e 126-të.
“126. Në vijim të elaborimit, Gjykata vëren se në seancat e mbajtura për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit në rastin KO124/25, përkatësisht nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 nuk është arritur që të votohet kandidati/tja për kryetar të Kuvendit. Për pasojë, Gjykata vlerëson që veprimet e përsëritura të Kryesuesit për të zhvilluar dhe bashkërenduar mbajtjen e Seancës Konstituive në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, përbëjnë tejkalim të kompetencave formale dhe solemne të ndërlidhura me rendin e ditës së Seancës Konstituive, e cila njëherësh ka pasur për pasojë moskonstituimin e Kuvendit sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 2, 3 dhe 4 të Nenit 67 të Kushtetutës”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
KËTU mund ta lexoni të plotë aktgjykimin e Kushtetueses. /Zëri