Pas seancës së sotme, Maliqi thotë se i gjithë bllokimi ka qenë i qëllimshëm
Foto: Laura Hasani

Pas seancës së sotme, Maliqi thotë se i gjithë bllokimi ka qenë i qëllimshëm

Aktuale August 20, 2025 - 13:24

Sot as Albulena Haxhiu e as Donika Gërvalla, të propozuarat e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, nuk arritën të marrin votat e nevojshme për këtë post.

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka komentuar situatën në Kuvendin e Kosovës, shkruan Zeri.info.

Maliqi, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se i gjithë ky ngërç politik ka qenë i nevojshëm.

Sipas tij, kjo ka qenë një “zhagitje e qëllimshme për të mos e lejuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e afateve ligjore për formimin të qeverisë”.

Postimi i plotë i Maliqit, pa ndërpreje:

Ish-opozita po tregohet më se korrekte dhe e gatshme me e votu një emër më konsensual prej VV-së. AAK-ja madje po i bën publikë emrat e pranueshëm. PDK-ja e ka si kriter të mos qenit ministër në mandatin e kaluar. Ku është problemi me u ulë e me diskutu këtë punë me ta? I pari shpjegim është mungesa e dëshirës me projektu dobësi para publikut dhe me e pranu se rezultati i zgjedhjeve në fakt paska qenë një fitore relative që imponon konsensus. I dyti shpjegim - dhe më i mundshmi që tani po duket edhe më qartë - është se e gjithë kjo dramë disamuajshe, që e detyroi edhe ndërhyrjen e gjykatës, ka qenë një zhagitje e qëllimshme për të mos e lejuar konstituimin e kuvendit dhe fillimin e afateve ligjore për formimin e qeverisë. /Zëri

Image