Haradinaj ia çel rrugën Kurtit për zhbllokim: Për 20 deputetë i ka votat e AAK-së
Foto: Laura Hasani

Haradinaj ia çel rrugën Kurtit për zhbllokim: Për 20 deputetë i ka votat e AAK-së

Aktuale August 20, 2025 - 22:08

Pas dështimit të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosja mund ta zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, Vetëvendosje ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Ai shtoi se sipas vlerësimit të AAK-së, rreth 20 deputetë të Vetëvendosjes do ta merrnin votën e AAK-së për postin e kryeparlamentarit.

“VV-ja i ka votat për kryetar Kuvendi. Sepse ne që kemi 5 vota të sigurta, plus ndonjë tjetër, sot do të votonim, ndoshta për 20 prej kandidaturave të VV-së. Pra i ka votat. VV-ja nuk i ka votat pr qeveri, sepse për qeveri nuk votojmë, për Kurtin III jo. Kurti po do me shku në zgjedhje, por ka ardh në peshore. Nuk po don me u pa, duke mos i pas votat duke e bërë qeverinë. Ky është realiteti.

Në bindjen tonë si Aleancë janë rreth 20 njerëz të VV-së që ua qesim votën. Pra Kurti e ka votën për kryetar Kuvendi kur do, nesër”, ka thënë Haradinaj në Dukagjin.