Klinaku: Seanca u caktua më 3 shtator, të shohim nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë
Foto: Laura Hasani

Klinaku: Seanca u caktua më 3 shtator, të shohim nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

Aktuale August 22, 2025 - 18:50

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se më 3 shtator të këtij viti është caktuar të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar lidhur me akuzën për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.

Ai bëri të ditur se mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do të jetë i pranishëm në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit të Prokurorisë.

“Shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar të mbahet më 3 shtator 2025, në ora 09:00. Ta shohim nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës si i dëmtuar-dëshmitar i Prokurorisë,” ka shkruar Klinaku në Facebook.

Klinaku  kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”