
Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se i takon politikës që, brenda normave dhe parimeve kushtetuese, të gjejë rrugë për të dalë nga ngërçi politik.
Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese “të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore”.
Sipas Hasanit, i cili është profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, aktgjykimi i fundit i Kushtetueses lidhur me konstituimin e Kuvendit është i qartë, por shton se bazuar në sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, afati 30-ditor i vendosur nuk do të respektohet.
“Nëse gjykojmë sjelljet e zotit [kreut të LVV-së, Albin] Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.
Hasani vlerëson se e vetmja mangësi e aktgjykimit të Kushtetueses është që aty nuk qartësohet sanksioni kushtetues. Si sanksion të mundshëm ai përmend decertifikimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, ose kur të identifikohen rastet e shkelësve të vendimeve të Kushtetueses, ata sipas tij, duhet të “eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit”.
Aktgjykimi i Kushtetueses – i publikuar i plotë më 18 gusht – u jep 30 ditë kohë deputetëve të përmbyllin procesin e konstituimit. Aty thuhet se kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe emri i një kandidati mund të hidhet në votim deri në tri herë.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, a kanë shkaktuar paqartësi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës?
Enver Hasani: Jo, askund nuk mund të fajësohet Gjykata Kushtetuese për paqartësi. Si ky aktgjykim, ashtu edhe ai i qershorit, janë të qartë. Problemi ka lindur dhe lind gjithmonë në terrenin politik. Kështu ka qenë edhe në të kaluarën. Dispozitat kushtetuese kanë qenë dhe mbeten të qarta, duke bërë dallim mes konstituimit (inaugurimit) të Kuvendit të Kosovës dhe punës së Kuvendit të Kosovës pas konstituimit, si organ kushtetutvënës, ligjvënës, mbikëqyrës, deliberativ dhe përfaqësues i popullit të Kosovës dhe i qytetarëve të saj. Konstituimi është inaugurimi solemn i Kuvendit të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve nacionale, ashtu siç e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në vitin 2014. Në këtë inaugurim solemn nuk mund të ketë grup tjetër parlamentar përveç atyre që dalin nga vullneti i lirë dhe kutitë e votimit. Vetëm pas inaugurimit mund të vijë deri te riformimi dhe riformatizimi i grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, edhe atëherë, ai rikonfigurim dhe riformatizim nuk mund të ndryshojë strukturën e organeve të Kuvendit të Kosovës dhe as ato që lidhen me punën e tij. Për këtë ekzistojnë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë ndryshimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të strukturës së Komisionit Qendror Zgjedhor si pasojë e fluktuimeve partiake që ndodhin natyrshëm në Kuvend dhe në terrenin politik. Çdo qasje ndryshe do ta zhvlerësonte kuptimin e zgjedhjeve nacionale. Interpretimet ndryshe që janë bërë dhe i bëhen këtij dimensioni – pra inaugurimit të Kuvendit të Kosovës dhe natyrës së tij juridiko-kushtetuese – janë dashakeqe dhe vijnë nga njerëz që nuk kanë njohuri themelore për të drejtën kushtetuese dhe të drejtën parlamentare si pjesë e saj. Në këtë dashakeqësi, jo rrallë shohim shfaqje të çoroditura nga individë që dikur kanë qenë militantë të një partie, ndërsa sot janë kundër së njëjtës parti. Kushtetuta, megjithatë, mbetet e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar asgjë në konceptimin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës: ai duhet të bëhet patjetër, dhe mosinaugurimi i tij nuk mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Kjo është përgjegjësi e grupeve parlamentare, ashtu siç kanë dalë nga kutitë e votimit, dhe asnjëherë ndryshe. Partia e parë fituese, që është gjithmonë fituese relative, sikurse edhe në vitin 2021, ka vetëm një privilegj: t’i prijë procesit në mënyrën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç interpretojnë ato nenet 66.1 dhe 67 të Kushtetutës dhe dispozitat relevante ligjore e nënligjore mbi inaugurimin e Kuvendit të Kosovës.
Mangësia e aktgjykimit, “qartësimi i sanksioneve kushtetuese”
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese a ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit?
Enver Hasani: Po. Aktgjykimi i fundit, pa asnjë dyshim, ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Partia e parë, ose koalicioni fitues i zgjedhjeve të shkurtit 2025, ka prerogativën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Me këtë prerogativë vjen edhe përgjegjësia, që nënkupton se e drejta e dhënë kushtetuese nuk mund të abuzohet pafundësisht, sepse tashmë ekziston një afat 30-ditor brenda të cilit kjo e drejtë duhet të ushtrohet. Përveç kësaj, aktgjykimi i fundit ka treguar qartë edhe mënyrën e inaugurimit, duke e kufizuar të drejtën e propozimit të një kandidati vetëm në tri herë.
Çka i mungon vendimit të Kushtetueses?
Enver Hasani: Mendoj se i mungon qartësimi i sanksionit kushtetues. Në arsyetimin e saj, Gjykata, me stil të qartë profesional dhe elokuencë, ka treguar se Kushtetuta e Kosovës mund të shkelet edhe nga individë apo subjekte të tjera, të cilat më parë nuk kanë figuruar shprehimisht në tekstin e saj. Siç e dimë, deri më tani shkelje të tilla, me pasoja të qarta juridike, mund të ndodhnin vetëm nga presidenti i Republikës. Për këtë ekziston një praktikë e pasur gjyqësore, e cila prej kohësh studiohet dhe mësohet në katedrat e së drejtës kushtetuese në Kosovë dhe jashtë saj, përveçse është trajtuar gjerësisht edhe në literaturën akademike. Meqë Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar mendimeve të Komisionit të Venecias, ka vënë në dukje se edhe individët mund të jenë shkelës të Kushtetutës në mënyrë autonome gjatë ushtrimit të detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore, atëherë është dashur dhe duhet të ndërtohen sanksione të qarta kushtetuese për shkelësit e tillë. Këto sanksione janë gjithmonë të ndryshme nga ato që shqiptohen në sferën penale, civile apo administrative. E theksoj këtë sepse, për fat të keq, vazhdimisht ka njerëz që, në emër të profesionit, kërkojnë burgosjen e deputetëve për shkak të sjelljeve të tyre në procesin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuptim, asnjëherë nuk mund të ndodhë burgosja e deputetëve të Kosovës për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Përgjegjësia penale e deputetëve lind vetëm nëse ata shkelin ligjin penal, e jo Kushtetutën e Kosovës. Kaq e thjeshtë është kjo.
Profesor, çfarë mund të jenë ato sanksione?
Enver Hasani: Po, sanksionet mund të jenë, ta zëmë, që krejt natyrshëm do t’i shkonte zotit (kryesuesit të seancës konstituive Avni) Dehari decertifikimi i tij dhe jo vetëm largimi nga posti i kryesuesit për shkak të moshës. Ose, kur mund të identifikohen rastet e shkelësve (të vendimeve të Kushtetueses), të eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit.
A po i shmangë Kushtetuesja në vendimet e saj të fundit pasojat ndaj shkelësve të vendimeve të saj?
Enver Hasani: Sigurisht që deri më tani Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje dhe është mbështetur shumë në mirëbesimin e deputetëve për zbatimin e aktgjykimeve të saj. Pra, arsyeja pse Gjykata nuk po i vë në dukje pasojat juridiko-kushtetuese për individët që në mënyrë specifike pengojnë dhe rrënojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës lidhet, nga njëra anë, me frikën nga politika dhe reagimet e saj irracionale, dhe nga ana tjetër me mbështetjen në mirëbesimin e deputetëve se do t’i zbatojnë detyrimet e tyre kushtetuese të përcaktuara në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Profesor Hasani, e përmendët që Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje. Nga kush druhet gjykata?
Enver Hasani: Partia në pushtet – nëse merret parasysh arkivi ose rekordi i krejt partive politike në raport me institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ose mbi të gjitha, Gjykatën Kushtetuese – besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka një rekord absolut, dhe brutaliteti me të cilin ajo ka ftuar për linç ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është i pashembullt në jurisprudencën, jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të rajonit. Do të thosha se janë raste të rralla në praktikën e ish-vendeve komuniste. Mund të krahasohet me Bjellorusinë, me rastin e Gjykatës Kushtuese në Rusi. Në të tjerat, nuk mund të hasim në këso (situatash) që me kaq brutalitet, me goditje kaq brutale, me ftesë për linçim në mënyrë kaq primitive, siç shohim te Lëvizja Vetëvendosje. Tentime të tilla ka pasur edhe në vitin 2014 ndaj meje personalisht, ndaj personit tim, dhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, por zbatimi i tyre nuk ka shkuar me kaq vështirësi dhe me kaq komentime tërësisht joprofesionale.
Kërkesa e Osmanit “kishte për qëllim paralizimin e punës të Kushtetueses”
Ku çon kjo shmangie e pasojave nga Gjykata Kushtetuese?
Enver Hasani: Kjo shmangie çon në thellimin e ngërçit politik aktual, duke e bërë edhe më të vështirë zgjidhjen e tij – zgjidhje që është e pashmangshme, sepse asnjëherë individi, sado i fuqishëm politikisht, nuk mund të fitojë betejën me normat dhe parimet kushtetuese e ligjore dhe me mekanizmat shtetërorë që garantojnë zbatimin e tyre. Asnjëherë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pasojat juridike për mosrespektimin e aftit 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, a mund të pritet që Gjykata Kushtetuese ta japë një mendim dhe a mund të ndodhë kjo para se të kalojë afati aktual prej 30 ditësh, që përfundon më 18 shtator?
Enver Hasani: Kërkesa e zonjës Osmani ka qenë turpi më i madh që mund të bëjë një shef shteti. Ajo ka pasur vetëm një qëllim: paralizimin e punës së Gjykatës Kushtetuese, në vend se të kujdesej për mirëvajtjen e saj, siç e ka detyrim kushtetues. Edhe sikur zonja Osmani të ketë pasur informata të sakta për rrezikim të sigurisë kombëtare nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ajo nuk ka guxuar dhe nuk guxon të dalë në publik e të denoncojë një gjë të tillë. Si shefe e shtetit, ajo ka në dispozicion të gjitha mekanizmat kushtetues dhe shtetërorë për të nisur procedurat e nevojshme dhe për të penguar çdo rrezikim të sigurisë kombëtare. Thirrja me emër e mbiemër e një gjyqtari kushtetues nga presidentja e Republikës, në një çështje ku vetë është palë në procedurë, përbën asgjë më pak se huliganizëm institucional, i papranueshëm për çdo institucion shtetëror - e aq më pak për presidentin e Republikës. Kjo kërkesë është qartazi e pabazuar dhe pa meritë. Gjykata, megjithatë, ka të drejtë të vazhdojë procedurën lidhur me të. Por, kjo kërkesë nuk ka asnjë relevancë në procedurat që lidhen me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sepse presidenti i Republikës nuk mund të paraqitet si palë në procedurë për këtë temë. Presidenti i Republikës ka vetëm një autorizim: thirrjen e seancës së parë konstituive – dhe edhe këtë jo si detyrim, por si kompetencë që mund ta ushtrojë nëse dëshiron.
Zgjidhja e ngërçit “është politike”
A mendoni që Gjykata Kushtetuese sërish do të ballafaqohet me kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit?
Enver Hasani: Nëse gjykojmë sjelljet e zotit Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës.
Profesor, kur them se a mund të ketë kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit, do të thotë a mund të ketë kërkesa të reja po themi, pasi eventualisht të përfundojë afati 30-ditor dhe çfarë mund të jenë ato?
Enver Hasani: Zgjidhja ka qenë dhe mbetet politike. I takon politikës të gjejë rrugëzgjidhje brenda normave dhe parimeve kushtetuese, si dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që interpretojnë këto norma dhe parime. Nuk e përjashtoj mundësinë që Kuvendi i Kosovës të mos inaugurohet edhe brenda këtyre 30 ditëve të parashikuara, dhe që Gjykata të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.
Do të thotë, kjo është shtegdalja?
Enver Hasani: Po, nuk ka tjetër rrugë. Rruga e vetme është që procesi politik duhet të zhvillohet sipas normave dhe parimeve kushtetuese, ashtu siç i ka interpretuar dhe i interpreton Gjykata Kushtetuese. Asnjë rrugë tjetër nuk mund të ndiqet.