KQZ: Mbi 32 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës, 21 mijë u aprovuan
Foto: Laura Hasani

KQZ: Mbi 32 mijë kërkesa për votim jashtë Kosovës, 21 mijë u aprovuan

Aktuale August 25, 2025 - 15:41

Me raportin informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të hënë.

Është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe sa është i hapur afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës nga 28 qershori deri dje, më 24 gusht 2025, KQZ-ja ka pranuar 8 mijë e 107 kërkesa, prej të cilave kanë bërë të ditur se 7 mijë e 432 janë aprovuar, ndërkaq 675 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkëngjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.

Afati për ndërrim të Qendrës së Votimit do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025.

Po ashtu, anëtarët u informuan lidhur me periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovë votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025.

Sipas të dhënave, të prezantuara nga Besnik Buzhala nga sekretariati i KQZ-së, prej 23 korrikut, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 25 gusht në orën 09:00, janë aprovuar 21 mijë e 436 kërkesa të paraqitura përmes platformës elektronike, ndërkaq ka treguar se janë refuzuar 5 mijë e 244.

Ai ka bërë të ditura arsyet e refuzimit. “Për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e banimit apo adresa e deklaruar nuk është e njëjtë me adresën në dokumentin që e dëshmon atë”, tregoi ai.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosja, Sami Kurteshi ka kërkuar që në faqen e KQZ-së të nxirret një sqarim i cili sipas tij do t’u ndihmonte aplikuesve për t'u regjistruar drejt.

Arianit Elshani që përfaqëson PDK-në aty, tha se kanë kërkuar nga administrata që të kryejnë të gjitha verifikimet që të mos përsëriten ngjarjet, siç tha ai, që kanë ndodhur në zgjedhjet lokale të 2021-s as të atyre të 2017-s.

“Por as në zgjedhjet e fundit parlamentare që dhe gjykata edhe PZAP-i, por edhe KQZ-ja, ka vërejtur parregullsi në disa komuna që po kanë tendencë sërish të kenë një numër të më të madh të të regjistruarve në raport me popullsinë që e kanë këto komuna dhe në raport me daljen e votuesve në këto komuna qoftë në zgjedhje parlamentare qoftë lokale. Nevojitet vigjilencë më e madhe e administratës në shqyrtimin e aplikacioneve”, tha ai.

Muharrem Nitaj, anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, tha se nuk mund të jetë refuzimi pasojë e informimit të pamjaftueshëm.

Ndërkaq, Alban Krasniqi i Vetëvendosjes, i cili që nga fillimi i mbledhjes e shpalosi pankartën me mesazhin "Po pluralizmit, jo terrorizmit", tha se është e rëndësishme që procesi të mos kontaminohet.

Buzhala i Sekretariatit të KQZ-së ka treguar se në platformën e aplikimit për regjistrim e bashkëngjitur është edhe video që i ndihmon qytetarëve si të aplikojnë si votues jashtë Kosovës.

Tutje në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi programet për Trupat Menaxhuese të Zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për zgjedhjet e 12 tetorit.

U bë e ditur se ky program do të përfshijë mijëra persona të cilët do të angazhohen në procesin zgjedhor, përfshirë ditën e zgjedhjeve, sikurse trajnerët, anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, anëtarët e ekipeve mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta, numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Gjithashtu, u miratua procedura për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta.

U tha se udhëzuesi synon lehtësimin dhe garantimin e të drejtës kushtetuese për të votuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe votimit të Personave me Nevoja të Veçanta, të cilët nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre.

Udhëzuesi, sipas KQZ-së, përshkruan në detaje procesin dhe përgjegjësitë e Këshillit të Votimit të Ekipit Lëvizës, duke siguruar një proces zgjedhor transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore dhe rregulloret zgjedhore në fuqi.

Ndërkohë KQZ-ja gjatë këtij takimi ka marr vendim që të largojë nga lista votuese 1514 persona të vdekur.

“KQZ mori vendim për largimin e 1.514 personave, të cilët në ditën e zgjedhjeve do të kenë moshën 95 vjeç ose më shumë. Të gjithë këta persona janë pjesë e një liste të verifikuar se kanë ndërruar jetë. Procesi i verifikimit është realizuar nga Zyrtarët Ekzekutiv të KQZ në komuna të ndryshme të Kosovës”, thotë KQZ-ja.

Ndërkohë një tjetër vendim që u mor aty ishte edhe ai për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence” në Graçanicë. /rtk