Krasniqi: Qasja ndaj Listës Serbe e forcon Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe e justifikon ndërkombëtarisht
Foto: Zëri

Krasniqi: Qasja ndaj Listës Serbe e forcon Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe e justifikon ndërkombëtarisht

Aktuale August 28, 2025 - 12:54

Analisti politik, Albert Kransiqi, ka thënë se qasja ndaj Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, e forcon edhe më shumë kërkesën për Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe e bën këtë të fundi edhe justifikim politik ndërkombëtar.

Krasniqi në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo që po ndodh në Kuvend është shkelje e rendit kushtetues dhe s’ka të bëjë me akt patriotik.

Sipas tij, në Kryesi përfaqësohen grupet më të mëdha parlamentare përmes nënkryetarëve dhe mohimi që Lista Serbe të përfaqësohet është kundër kushtetues.

“Kryesia e Kuvendit është organ administrativ, ku përfaqësohen grupet më të mëdha parlamentare përmes nënkryetarëve. Mohimi në mënyrë kundër kushtetuese i përfaqësimit të subjektit më të madh politik të komunitetit serb nuk është akt patriotik, por shkelje e rendit kushtetues.

Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton shtetin ligjor, por paradoksalisht e forcon Asociacionin me kompetenca ekzekutive, duke e shndërruar në justifikim politik ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi.