Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lutur ta bëjmë qeverinë e ish-opozitës
Foto: Laura Hasani

Krasniqi i kundërpërgjigjet Abdixhikut: Do të ishte mirë të bëhet pjesë e zhbllokimit, e kam lutur ta bëjmë qeverinë e ish-opozitës

Aktuale August 28, 2025 - 14:49

Kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, komentoi deklaratat e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, i cili i cilësoi si ‘’gabim trashanik’’ votat e PDK-së dhe AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit.

Krasniqi tha se do të ishte mirë që Abdixhiku dhe partia që e drejton të bëhen pjesë e zhbllokimit.

‘‘Partitë politike funksionojnë ndamas. E mira kish me qenë edhe zoti Abdixhiku edhe LDK me qenë pjesë e zgjidhjes edhe pjesë e zhbllokimit’’, tha ai.

I pari i PDK-së ka përmendur si mundësi të mirë lutjen që ai ia ka bërë Abdixhikut për krijimin e një qeverie të ish-opozitës.

Krasniqi ka thënë se nëse kjo do të ndodhte atëherë pagat e pensionet do të rriteshin dhe se bizneset s’do të përballeshin me rritje të tarifave të energjisë.

‘‘Një mundësi ideale e kemi pas prej 10 shkurtit, të cilin e kam lut ‘’hajde e bojmë qeverinë e ish opozitës’. Deri tash ju garantojë që e kishit pas Bedri Hamzën kryeministër dhe katër muajt e fundit i kishin pas qytetarët pagat e rrituna, pensionet e rrituna, nuk kish pas shanse me u rritë tarifat e energjisë 300% për bizneset, edhe shumë prej probleme tjera ishin zgjidh deri tash. Vendimet e partive politike janë individuale, por pastaj edhe përgjegjësia ndaj qytetarëve është individuale apo edhe grupore’’, tha Krasniqi.