Se a ka filluar mësimi në të gjitha shkollat, tregon Jasharaj
Foto: Laura Hasani

Se a ka filluar mësimi në të gjitha shkollat, tregon Jasharaj

Aktuale September 01, 2025 - 11:01

Sot ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2025/2026 në të gjitha shkollat e vendit.

Megjithatë, mbetet pyetja nëse procesi mësimor ka filluar realisht kudo, apo ka pasur ndonjë vonesë ose pengesë, duke përfshirë mundësinë e ndonjë greve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është shprehur se nuk kanë marrë ndonjë raport shqetësues nga terreni.

“Të them të vërtetën, kemi kryetarë të shoqatave sindikale dhe kemi përfaqësues në nivel komunale. Deri në këtë moment nuk kemi pranuar ndonjë vërejtje serioze, gjë që na bën të besojmë se në shumicën e shkollave viti shkollor ka nisur. Por duhet thënë se ka filluar më shumë në formë solemne, sepse dita e parë zakonisht ka karakter mirëseardhës në shkollë”, deklaroi Jasharaj.

Ai gjithashtu bëri thirrje që tekstet shkollore të shpërndahen sa më shpejt te nxënësit, në mënyrë që mësimi të zhvillohet në përputhje me planprogramin.

“Uroj që tekstet shkollore të vijnë sa më shpejt te nxënësit, në mënyrë që viti shkollor të fillojë plotësisht me të gjitha detyrat që parashikon plani mësimor”, tha ai në Klan Kosova.