LDK-ja kritikon MASHTI-n: Subvencionimi i teksteve shkollore s’e mbulon koston reale
Foto: Laura Hasani

LDK-ja kritikon MASHTI-n: Subvencionimi i teksteve shkollore s’e mbulon koston reale

Aktuale September 01, 2025 - 11:32
LDK: 1 shtatori e gjeti vendin të papërgatitur

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore, duke thënë se kostoja reale që përballin prindërit është dukshëm më e lartë se mbështetja që ofron Qeveria.

“Për fat të keq ky vit shkollor nuk na gjen të përgatitur për vitin shkollor. Nuk gjen reformë përmbajtësore që ka ngritur cilësinë në arsim. Kjo ka ndodhur përgjatë katër vjetëve të kaluar. Ne i kemi fëmijët që shkojnë me kushte të papërshtatshme, me kushte minimaliste. Sot më 1 shtator edhe mësimdhënësit i gjen në një pozitë të papërshtatshme, pa përkrahje të duhur nga MASHTI. I gjen pa paga dinjitoze dhe me kushte të vështiruara pune, pa mjete digjitale, nuk kanë kurrikulë digjitale. Fatkeqësisht ky prindërit i gjen me vështirësi të jashtëzakonshme në sigurimin e teksteve shkollore. Nga se Ministria e Arsimit në pamundësi të përmbushjes së obligimeve ligjore që i ka për sigurimin e teksteve shkollore, ia ka kaluar këtë përgjegjësi prindërve. Prindërit sot më 1 shtator shumica prej tyre nuk i kanë marrë subvencionet e planifikuara për shkak të vonesave dhe vështirësive të sigurimit të librave në librari dhe shtëpi botuese. Vështirësitë e prindërve janë edhe kostoja e librave, kostoja e librave sot është shumë më e lartë se në rast se MASHTI do t’i siguronte librat vetë”, tha ajo.

 

Deputetja shtoi se shuma që mbulon Ministria është e pamjaftueshme në raport me shpenzimet reale që kanë prindërit.

“E kemi kritikuar sepse besojmë që kjo kosto e teksteve shkollore është më e larta se sa në rast se ministria do t’i siguronte vetë librat. Shumë komuna në Kosovë nuk kanë as librari, shumë komuna ju vendosin edhe çmime të ndryshme të librave. Kam siguruar çmimet, për klasat 1-5 MASHTI i subvencionon prindërit me 80 euro, mesatarja e librave bazë është minimalisht 120 euro deri 130 euro. Ndërsa për klasat e 6-9 MASHTI i subvencionon prindërit 80 euro për fletore pune dhe të tjera, por që të gjitha materialet janë 130-140 euro”, tha Lushaku-Sadriu.