Basha: S’kishim kuorum, u pamundësua mbledhja e Kryesisë
Foto: Laura Hasani

Basha: S’kishim kuorum, u pamundësua mbledhja e Kryesisë

Aktuale September 01, 2025 - 13:30

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Ai para gazetarëve tha se nënkryetarët e dy subjekteve politike nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje, që për rrjedhojë s’ka pasur kuorum dhe ka dështuar mbledhja.

“Në këtë mbledhje të Kryesisë nuk kanë marrë pjesë dy nënkryetarët nga subjektet politike PDK-LDK, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Rrjedhimisht nuk kemi pasur kuorum dhe është pamundësuar mbledhja e Kryesisë”, tha ai para gazetarëve.

Ndërkohë, përveç mbledhjes ai ka thënë se meqë Kuvendi ka kryetarin dhe katër nënkryetarët, ka kuorum për të vazhduar punën.

“Unë si kryetar është dashur ose t’i ndaloj punimet, ose të vazhdoj punën. Unë kam vlerësuar që Kuvendi nuk duhet të mbetet jofunksional për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. Unë kam përgjegjësi ta funksionalizojë Kuvendin”, deklaroi Basha.