Haxhiu: Kuvendi ka legjitimitet dhe nuk mund të bllokohet nga Lista Serbe
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Kuvendi ka legjitimitet dhe nuk mund të bllokohet nga Lista Serbe

Aktuale September 01, 2025 - 14:11

Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosja, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se situata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nuk është ideale, por Kuvendi ka legjitimitet dhe kapacitet për të ushtruar mandatin e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

“Situata nuk është ideale. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk është ideal. Ideale do të ishte mes Kuvendit të arrinte që të zgjidhej nënkryetari Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit dhe po të merrte pjesë opozita e disa po të merrnin pjesë e disa po të votonin për unë mendoj që Rashiqi do të ishte zgjedhur si anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Por kjo nuk ndodhi, nuk i gjetëm 6 deputet sa nevojiteshin”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se pavarësisht këtyre rrethanave, Kuvendi duhet të vazhdojë punën e tij dhe nuk duhet të bllokohet nga një parti.

“Por në këto rrethana ne duhet të jemi të qartë, ne duhet të vazhdojmë, Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar mandatin e vet, sepse përveç kryetarit të Kuvendit, janë edhe katër nënkryetarët që janë zgjedhur, nëse vetëm një ta kishim pasur prej tyre do të mundë ta mbanim mbledhjen e Kryesisë, sepse nevojiten 4 anëtarë që mbledhja të vazhdojë. Ne nuk duhet që të ndalim punën e institucionit më të lartë përfaqësues të Kosovës, pra Kuvendit. Nuk mund që ky Kuvend të mbetet peng i Listës Serbe”, tha Haxhiu. /EO