
Haxhiu: Na duhet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm që ta votojmë mandatarin
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se tashmë janë në pritje të hapave të radhës drejt themelimit të qeverisë së re, pas konstituimit të pjesshëm të Kuvendit.
Në një konferencë për media, Haxhiu theksoi se është urgjente thirrja e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm, në mënyrë që të votohet mandatari dhe të procedohet me hapin e radhës institucional.
“Na duhet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm që ta votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani e mandej presim që Presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajnë mbledhjen të jashtëzakonshme dhe të shpejtë, për shkak të rrethanave që jemi”, tha Haxhiu.
Ajo kritikoi opozitën për mosgatishmëri për bashkëpunim, veçanërisht në rastin e zgjedhjes së Nenad Rashiqit në Kryesinë e Kuvendit.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, ose ndonjë subjekti politik që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4-5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin. Rashiqi është një përfaqësues shumë i moderuar dhe që angazhohet për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Më tej, ajo shtoi se mazhoranca është e vendosur të ecë përpara me formimin e institucioneve, duke mos lejuar që vullneti i qytetarëve të bllokohet nga interesa politike ose veprime të minorancës.
“Ne nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të institucioneve të tjera, përfshirë këtu natyrisht qeverinë. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar”, theksoi nënkryetarja e Kuvendit.
Tutje, nënkryetarja e Kuvendit tha se Rashiqi assesi nuk mund të futet në të njëjtin thes me Listën Serbe.
“Unë mendoj që Lista Serbe dhe zoti Rashiq assesi nuk mund të vendosen në të njëjtin thes. Në këtë drejtim zoti Rashiqi nuk mund të futet në të njëjtin thes me Listën Serbe, sepse kryetari formal i saj ka kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu. /EO