Në Stacionin Policor në Shtërpcë u përurua “Dhoma mike”, donacion i KFOR-it italian
Foto: Policia e Kosovës

Në Stacionin Policor në Shtërpcë u përurua “Dhoma mike”, donacion i KFOR-it italian

Aktuale September 01, 2025 - 15:14

Në Stacionin Policor në Shtërpcë u përurua sot “Dhoma mike”, donacion nga KFOR-i italian.

Sipas komunikatës për media, ceremonia u zhvillua në prani të major Avni Uruqit, shef i Sektorit Rajonal për Operativë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj dhe kolonel Lorenzo Mangia, komandant i KFOR-it për rajonin e Perëndimit, të cilët së bashku prenë shiritin, duke shënuar hapjen e kësaj dhome.

Të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu komandanti i stacionit policor, rreshteri Dragan Stevanoviq me stafin e tij, të cilët pranuan donacionin.

“‘Dhoma mike’ është një hapësirë e rinovuar, e pajisur me mobilie, kënde të posaçme dhe lodra për fëmijë. Ajo synon të ofrojë kushte optimale për intervistimin dhe akomodimin e përkohshëm të viktimave të dhunës në familje, duke krijuar një ambient të sigurt, të rehatshëm dhe mbështetës. Me këtë rast, major Uruqi falënderoi KFOR-in për mbështetjen dhe donacionin, ndërsa kolonel Mangia vlerësoi lart bashkëpunimin me Policinë Rajonale të Ferizajt, duke shprehur gatishmërinë për mbështetje dhe projekte të tjera në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Ky investim u cilësua si një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve dhe përkujdesjen ndaj viktimave të dhunës në familje.