Vihet gur themeli i bulevardit të qytetit, projektit më të madh në historinë e Gjilanit

Vihet gur themeli i bulevardit të qytetit, projektit më të madh në historinë e Gjilanit

Aktuale September 02, 2025 - 12:29

Kanë nisur punimet për projektin më të madh kapital në historinë e Gjilanit, bulevardin e qytetit, me investim prej 18 milionë eurove.

Po ashtu nisën punimet edhe për gjashtë rrugë, rreth tetë kilometra, vlera e të cilave arrijnë tre milionë euro.

Do të ndërtohet edhe rrethrrotullimi i qarkores me rrugën e Prishtinës, mbi 300 mijë euro investim.

Në vënien e gur themelit të këtyre projekteve pos kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deputetë nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësues nga ministritë, drejtorë e zyrtarë komunalë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se: projekti më i madh kapital në historinë e qytetit po bëhet realitet. Qyteti më në fund po merr pamjen që e meriton. Gjilani i projekteve të mëdha.

“Së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe bashkëpunëtorë, nisëm punimet për projektin më të madh kapital në historinë e qytetit tonë – Bulevardin e Qytetit, me investim prej 18 milionë euro”, tha Alban Hyseni.

Ai theksoi se ky bulevard do të ketë 450 metra gjatësi, rreth 30 mijë metra katror hapësirë publike, 500 parkingje nëntokësore si dhe objektin e ri të administratës komunale me sipërfaqe prej 8.700 metra katrorë.

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, tregoi se në të njëjtën kohë, nisën punimet edhe për 6 rrugë të reja me gjatësi totale prej 7.995 metrash, me një investim prej 3 milionë euro.

Po ashtu, do të ndërtohet edhe rrethrrotullimi i Qakorres me rrugën e Prishtinës, një projekt me vlerë 330 mijë euro.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se bulevardi i qytetit që do ta transformojë qendrën e qytetit të Gjilanit.

Ai theksoi se Bulevardi do të jetë 450 metra i gjatë me një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë. Aty përfshihet ndërtimi i nënkalimit nga Stacioni i Autobusëve deri te objekti aktual i komunës, pastaj ndërtimi i parkingut nëntokësor në dy nivele me rreth 500 vendparkime, si dhe ndërtimi i objektit të ri pesëkatësh të Administratës Komunale në një hapësirë prej 8.600 metra katrorësh.

“Me vlerë prej 18 milionë euro, ky është prej projekteve më të mëdha kapitale ndonjëherë në këtë komunë”, tha Albin Kurti.

Kurti theksoi se në këtë mandat të qeverisë së tij dhe të kryetarit Alban Hysenit, janë mbi 73 milionë euro projekte që po gjejnë zbatim.

“Bulevardi i ri i qytetit, së bashku me shumë investime të tjera, po e ndryshon për të mirë qytetin dhe po e përmirëson përditshmërinë e qytetarëve. Gjilani tani është qytet i projekteve të mëdha, një qytet i cili nuk ndalet, një qytet që po bëhet shembull për gjithë Kosovën”, tha kryeministri në detyrë Kurti. /Zëri

Image

Image
Image