Barduani shkon në “Bondsteel”, viziton një ekspozitë armësh

Barduani shkon në “Bondsteel”, viziton një ekspozitë armësh

Aktuale September 02, 2025 - 15:55

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka vizituar kampin “Bondsteel”, ku u takua me personelin nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) e misionit të NATO-s në Kosovë.

Atje kreu i kësaj force u prit nga komandanti i Komandës Rajonale Lindje, Jonathan Lloyd, i cili, siç thuhet në një njoftim, e informoi detajisht mbi operacionet e vazhdueshme të komandës dhe aktivitetet e përditshme si pjesë e misionit të KFOR-it.

“Pas informimit, gjeneralmajor Barduani vizitoi një ekspozitë armësh dhe pajisjesh të organizuar nga Garda Skoceze, e vendosur në Kosovë si pjesë e Forcës Rezervë të NATO-s për qëllime trajnimi. Ekspozita ofroi një pasqyrë të automjeteve, sistemeve dhe aftësive në dispozicion të njësive”.

“Në përfundim të vizitës së tij, gjeneralmajor Barduani përgëzoi të gjithë personelin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kompetencën e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të tyre në misionin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.