CSL padit Qeverinë në detyrë për emërimin e drejtorit të IKAP-it
Foto: Laura Hasani

CSL padit Qeverinë në detyrë për emërimin e drejtorit të IKAP-it

Aktuale September 02, 2025 - 16:21

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, duke kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).

Krahas padisë, është kërkuar edhe pezullimi i zbatimit të këtij vendimi deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Sipas CSL-së, vendimi i Qeverisë në detyrë është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke cenuar të drejtat e punës të paditëses.

Një nga shkeljet kryesore, siç theksohet në padi, është fakti që vendimi është propozuar dhe miratuar nga kryeministri dhe ministra në detyrë, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe postin e deputetit. Kjo, sipas CSL-së, bie ndesh me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 7 korrik 2025, i cili ndalon ushtrimin e dyfishtë të funksioneve.

Ndër shkeljet tjera të evidentuara përmenden:

mungesa e arsyetimit për përzgjedhjen e kandidatit të emëruar krahasuar me tre kandidatët tjerë fitues;

mosplotësimi i elementeve të detyrueshme të një akti administrativ, siç janë arsyetimi dhe këshilla juridike;

injorimi i parimit të meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë gjinor, pasi përparësi i është dhënë një kandidati që nuk i përket gjinisë së nënpërfaqësuar.

CSL kërkon nga gjykata që, pas shqyrtimit të çështjes, të anulojë vendimin e Qeverisë në detyrë dhe të vendosë për pezullimin e tij për shkak të pasojave të mundshme në interesin publik.

Sipas njoftimit, organizata mbetet e përkushtuar që të mbrojë interesin e përgjithshëm dhe të sigurojë që çdo vendim i institucioneve publike të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe procedurat përkatëse, duke theksuar se një vendim pozitiv nga gjykata do të kontribuonte në parandalimin e shkeljeve të ngjashme në të ardhmen.