Ismaili: Rama s’ka arritur t’i realizojë projektet që ishin premtime të tij
Foto: Laura Hasani

Ismaili: Rama s’ka arritur t’i realizojë projektet që ishin premtime të tij

Aktuale September 03, 2025 - 08:39

Uran Ismaili, kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, ka thënë se kryeqyteti ka probleme të shumta që për vite me radhë nuk janë rregulluar.

Ai ka theksuar se kjo mund të jetë pasi janë zgjedhur për kryetarë që nuk i kanë pasur shkathtësitë, të cilët arrijnë t’i realizojnë premtimet e tyre, që ua kanë dhënë prishtinasve.

Ismaili ka kritikuar edhe kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Ramën, për të cilin tha se nuk ka arritur të realizojë premtimet e veta dhe se ai ka premtuar shumë, dhe nuk ka ditur çfarë të bëjë.

“Edhe herën e fundit ne kemi zgjedhur një kryetar që ka premtuar jashtëzakonisht shumë. Mirëpo, nuk ka qenë në gjendje t’i realizojë projektet të cilat vet i ka premtuar. Pra, nuk jemi duke folur për projekte të cilat iu kanë imponuar nga dikush tjetër”, tha Ismaili në Klan Kosova.

“Konsideroj që kryetar i Komunës duhet ta kuptojë që përgjegjësia është e tij në qoftë se shërbimet e lagjeve nuk janë në rregull, nuk mundesh të arsyetohesh, nuk mundesh t’i akuzosh të tjerët, nuk mundesh që për katër vite të thuash pareshtur se nuk kam mundur të punojë e nuk më kanë lënë të punojë. E në anën tjetër e je buxhetin më të madh se çdo komunë tjetër. Pra, është tejet e rëndësishme në momentin që zgjidhem si kryetar i komunës arsyetimet nuk janë në fjalorin tim”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se ai nuk do të jetë një kryetar, i cili nuk do t’i realizojë premtimet e veta.