
Grafite kërcënuese ndaj Kurtit në veri, deklarohet Policia
Mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Vasilije Ostrovski” në Mitrovicë të Veriut janë vendosur grafite me përmbajtje të hapur kërcënuese dhe urrejtjeje kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në murin e një ndërtese.
Ajo që është shkruar, në shqip përkthehet: “Me të aguar, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani. Ai tha se nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar.
“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rast ‘kanosje’. Shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendosur më herët në rrjetin social Telegram”, tha Elshani.
Rreth këtij rasti Policia ka njoftuar edhe përmes raportit 24-orësh, ku thuhet se hetimet kanë nisur.
“Raportohet se në muret e një ndërtese persona të panjohur kanë shkruar një grafit në gjuhën serbe me përmbajtje të veprës penale ‘kanosje’. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti vazhdon të hetohet nga ekipet e hetuesisë”.
