
Analistët ndajnë qëndrimet për Kuvendin, pritet qartësimi nga Kushtetuesja
Zhvillimet e fundit politike dhe dilemat rreth funksionimit të Kuvendit të Kosovës kanë qenë temë e debatit, ku u trajtuan çështjet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe pasojat kushtetuese të situatës aktuale.
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se në Kuvend është një gjendje e jashtëzakonshme e pashpallur. Ai ka theksuar se kjo që ka ndodhur tash është e paprecedent. Megjithatë, ai insiston në qëndrimin e tij se Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar edhe pa nënkryetarin e pestë.
Sipas tij, vendi nuk mund të mbetet peng i një nënkryetari të Kuvendit.
“Rast i paprecedent, deri tash nuk ka ndodhur asnjëherë. Në njëfarë forme, gjendja në Parlament është gjendje e jashtëzakonshme e pashpallur. Unë konsideroj që Parlamenti i Kosovës, në momentin e zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve, është i konstituuar dhe duhet të vazhdojë më tutje me procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka deklaruar ai.
I pyetur se si mund të jetë Kuvendi i konstituuar kur Rregullorja e përcakton që Kuvendi konstituohet kur zgjidhet kryetari dhe kryesia prej pesë nënkryetarësh, ai tha se kryesia ka kuorum.
“Mbi dy të tretat e nënkryetarëve të Kuvendit e përbëjnë Kuvendin dhe nuk mundet që për një nënkryetar të mos funksionojë Parlamenti, sepse bie në diskrepancë me interesat kombëtare dhe shtetërore. Në këto situata, jam i bindur që Parlamenti duhet të vazhdojë punën pa marrë parasysh a zgjidhet apo jo nënkryetari”, ka theksuar ai.
Ndërsa politologu Melazim Koci ka thënë se duhet pritur se çfarë konstatime do të japë Gjykata Kushtetuese.
“Nëse përcillet ecuria e seancës, dy momente mund të jenë kontestuese. Njëri, pa asnjë dilemë, është shkelje, refuzimi i Listës Serbe që, pas tre votimeve, të japë kandidatin e dytë. Ata injoruan qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese. U bë qëllimisht, ishte obstruksion i qëllimshëm. Ata e dëshiruan këtë ngërç. Dhe momenti i dytë është çështja kur u bë ndarja e votimit të komuniteteve”, ka theksuar Koci.
Tutje, Koci ka deklaruar se presidentja ndoshta heziton dhe pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse presidentja ia jep mandatin LVV-së për kryeministër, aty ekziston një rrezik: nëse, pasi të jepet mandati, Kushtetuesja del se ka pasur shkelje të Kushtetutës, Kosova mund të gjendet në një kaos juridik e kushtetues, sepse ajo do të thoshte se nuk ka kryetar Parlamenti dhe ke një presidente që ka bërë shkelje. Mendoj që do të ishte bast i rrezikshëm”, ka thënë ai.
Ndërsa Dorajet Imeri, politolog, ka deklaruar se Lista Serbe e shkeli aktgjykimin e Kushtetueses atë ditë që nuk mori pjesë në votim.
“Lista Serbe nuk kontribuoi në konstituimin e Kuvendit, e shkeli aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kush e ngriti çështjen pse Lista Serbe nuk mori pjesë në votim? Sjellja e tyre nuk ishte në idenë për të marrë pjesë në mënyrë konstruktive. Unë besoj që, po të kishin garanci PDK dhe LDK se nuk ka shkelje në procedurë, Nenad Rashiq do të ishte nënkryetar i Kuvendit. Ata u frikësuan se ka shkelje”, ka theksuar ai./rtk