
Bislimi: Kosova meriton të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së
Gjatë vizitës së tij në Kopenhagë, zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bisimi, mori pjesë në takimin joformal me ministrat për çështje evropiane nga shtetet anëtare dhe aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës.
Në kuadër të vizitës, Bisimi zhvilloi biseda dhe shkëmbime bilaterale me homologë nga disa vende partnere dhe aleate, duke thelluar bashkëpunimin dhe dialogun mbi të ardhmen evropiane të Kosovës.
Në takim morën pjesë ministra për Çështje Evropiane si Marie Bjerre nga Danimarka, Benjamin Haddad nga Franca, Joakim Strand nga Finlanda, Orhan Murtezani nga Maqedonia e Veriut, Maida Gorqeviç nga Mali i Zi dhe sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane e Kroacisë, Andreja Metelko-Zgombiq.
Po ashtu, Bislimi u takua edhe me anëtarë të Parlamentit danez, duke përfshirë kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Christian Friis Bach, zëvendëskryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Henrik Moller, nënkryetarin e Parlamentit, Lars Christian Brask dhe deputetët Yildiz Akdogan dhe Jon Stephensen.
Bisimi nënvizoi se hapi i radhës duhet të jetë pranimi i pyetësorit nga ana e Komisionit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat, duke thelluar kështu angazhimin për integrim evropian.
“Një mundësi e mirë për të thelluar diskutimet mbi të ardhmen evropiane të vendit dhe ritheksuar qëndrimin tonë se Kosova meriton të avancojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ku hapi i radhës duhet të jetë pranimi i pyetësorit dhe marrja e statusit të vendit kandidat”, shkroi ai në Facebook.
Në kuadër të vizitës, nuk mungoi as takimi i përzemërt me mërgatën kosovare në Danimarkë, ku u diskutua mbi progresin ekonomik të vendit, rrugëtimin drejt BE-së dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.