Prokurori në Hagë që dikur ka punuar roje paraburgimi kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht Thaçin

Prokurori në Hagë që dikur ka punuar roje paraburgimi kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht Thaçin

Aktuale September 04, 2025 - 16:57

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë publikuar transkriptin e seancës së 27 marsit 2025, në të cilën ish-presidenti Hashim Thaçi ka shprehur shqetësime për praninë e prokurorit John Devaney.

Thaçi ka pretenduar se Devaney, i cili më herët kishte punuar në Njësinë e Paraburgimit, e kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht.

Sipas transkriptit, Thaçi ka deklaruar se Devaney ishte prezantuar me role të ndryshme gjatë kohës së paraburgimit – si roje, hetues, zëvendësshef dhe shef i qendrës – duke shtuar se ky person kishte kryer veprime të rënda ndaj të paraburgosurve.

Ai tha se ndihej i papërfaqësuar dhe i pare respektuar nga fakti që “dikush që dje ishte roje, sot është prokuror”.

“Ky prokuror ka pasur qasje në informacione që nuk do të duhej t’i kishte. Nuk ndihemi të respektuar – as ligjërisht e as njerëzisht”, theksoi Thaçi.

Avokati i tij, Luka Mishetiq, konfirmoi se bëhej fjalë për prokurorin që kishte punuar më parë në paraburgim, gjë të cilën e pranoi edhe vetë Devaney, duke shtuar se punësimi i tij kishte përfunduar në fund të vitit 2022.

Seanca u zhvillua përmes video-lidhjes, ndërsa Thaçi kishte insistuar që fjalimi i tij të ishte publik. Ai gjithashtu rikujtoi se DhSK është gjykatë e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që vepron mbi bazën e ligjeve kushtetuese të saj.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria njoftoi se kishte përfunduar paraqitjen e provave.

Mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130 për rrëzimin e disa akuzave, por më 16 korrik 2025 kjo u refuzua nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles Smith III, i cili theksoi se incidentet e kontestuara nuk përbënin akuza të rrëzueshme sipas rregullores.

Po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti prova dhe thirri dy dëshmitare eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik, duke përmbyllur kështu edhe fazën e dëshmive të tyre.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po gjykohen mbi bazën e aktakuzës së konfirmuar të vitit 2020, e cila përmban dhjetë pika ku ata ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.

Image
Image