Uran Ismaili: Prishtina ka nevojë për ringjallje dhe projekte që lehtësojnë jetën e qytetarëve
Foto: Laura Hasani

Uran Ismaili: Prishtina ka nevojë për ringjallje dhe projekte që lehtësojnë jetën e qytetarëve

Aktuale September 04, 2025 - 21:43

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka konfirmuar rikandidimin e tij për zgjedhjet lokale të tetorit, duke theksuar se kryeqyteti ka nevojë për një qasje të re dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Prishtina ka nevojë për një ringjallje, për një angazhim më të madh, për intervenime e projekte që e bëjnë jetën e qytetarëve më të lehtë e më të mirë,” u shpreh Ismaili.

Ai theksoi se vizioni i tij për Prishtinën bazohet në udhëheqje të hapur dhe të afërt me qytetarët.

“Ka nevojë për një qeveri e cila është bashkëpjesëmarrëse me qytetarët, që i pranon ankesat e tyre, këshillat e tyre, nevojat e tyre si platformë për vete. Pra, ka nevojë për një kryetar që është i qytetarëve, i njeh qytetarët, e njeh Prishtinën, i jeton për 10-15 vite e më shumë këto problemet e njëjta që i kemi,” deklaroi ai.

Duke folur për kandidimin e tij, Ismaili e lidhi atë me përvojën e tij të mëparshme në institucione publike dhe me përkushtimin personal ndaj kryeqytetit.

“Kur t’i mbledhi të gjitha këto, shto këtu edhe përvojën time që kam pasur në të kaluarën në institucionet publike, mendoj që ka qenë e domosdoshme t’i futem garës. Nuk kam qytet tjetër, kam përvojën e duhur, ka kërkesa që të ketë një kandidaturë timen… është edhe në ndjenjën time që kam për Prishtinën dhe përvojën time që kam për Prishtinën,” tha ai.  /dukagjini