
Votimi i mandatarit nga LVV-ja, Zogaj: Veprim kryeneç dhe jokushtetues
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka komentuar paralajmërimin e LVV-së për votim të mandatarit për kryeministër të dielën, duke e cilësuar këtë hap si veprim kryeneç dhe jo kushtetues të LVV-së, përderisa, siç thotë, nuk ka konstituim të Kuvendit dhe vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Zogaj tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për formimin e qeverisë dhe se pa një marrëveshje politike nuk mund të ecet tutje.
“Veprimet e LVV-së janë në një linjë si kanë vepruar që prej ditës së parë pas zgjedhjeve, veprime kryeneçe krejtësisht jashtë kushtetuese edhe të njëanshme. Ne si LDK konsiderojmë se Kuvendi nuk është i konstituuar në plotni, duhet ta presim aktvendimi e Gjykatës dhe të vazhdohet me procese të tjera, sepse ka një rend të hapave. Shihet qartazi se fituesi i zgjedhjeve se ka shumicën politike në vend. Pa marrëveshje politike është shumë vështirë të ecet tutje, andaj edhe ky bllokim dhe këto tendenca për të atakuar procesin politik janë të lidhura me mungesën e shumicës”, tha Zogaj. /rtv21