
OVL UÇK-ja kërkon shkarkimin e Dimal Bashës, ose paralajmëron protestë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar zyrtarisht shkarkimin e kryeparlamentarit Dimal Basha.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e OVL UÇK-së thanë se kërkesa u është dërguar më 28 gusht të gjitha grupeve parlamentare, përveç Listës Serbe.
Arsyeja e kësaj kërkese është një publikim shkencor i Bashës, bashkë me një autore maqedonase, që sipas OVL UÇK-së përmban qëndrime kundër UÇK-së.
Nëse nuk merret vendim për shkarkim në seancën e parë të Kuvendit, OVL UÇK-ja paralajmëroi protesta, duke shtuar se ato do të njoftohen pas protestës që do të mbahet në Hagë.
“Ne kemi marrë të gjitha veprimet ligjore, kemi bërë kërkesë për shkarkimin e Dimal Bashës, më datën 28 gusht dhe u drejtuar të gjitha grupeve parlamentare të Republikës së Kosovës, përveç Listës Serbe që nuk i kemi dërguar. Deri më sot ende nuk kanë kthyer përgjigje, ne si organizatë do të marrim vendim nëse në seancën e parë që do të mbahet nuk do të marrin vendim partitë opozitare dhe LVV-ja me shkarkuar, ju e dini se për çka kërkojmë që ai të shkarkohet arsyeja që ka bërë një botim shkencor me një maqedonase që ka bashkëpunuar me të dhe ka shkruar artikull kundër UÇK-së. Nëse nuk merret vendimi për shkarkim po na imponojnë të dalim në protestë dhe të kërkojmë shkarkimin e tyre, për protestë do të njoftojmë shpejtë pas protestës që do ta kemi në Hagë”, ka theksuar ai.