Kurti me akuza ndaj Kushtetueses: Po funksionon si hije e opozitës ndaj Vetëvendosjes
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimisht dëmton procese të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ai kritikoi ashpër vonesat në konstituimin e institucioneve, duke theksuar se nga katër muaj e gjysmë që ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit, tre muaj janë humbur për shkak të zvarritjeve të Gjykatës.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese ka qenë e njëanshme dhe se pesë nga shtatë gjyqtarët janë emëruar nga koalicioni PAN dhe Lista Serbe në vitin 2018.
Kurti theksoi se VV kërkon frymë bashkëpunimi dhe marrëveshje politike, ndërsa opozita vrapon në Gjykatë për ta bllokuar procesin.
“Të vetmen dilemë që kam është nëse është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore, por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime. Nga katër muaj e gjysmë që nga fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit deri te zgjedhja e Dimal Bashës dhe Albulenës nënkryetare dhe dy nënkryetarëve të PDK dhe LDK, nga gati katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit në fund të gushtit, tre muaj janë në vonesë të Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë vonuar ta trajtojnë ankesën e AAK-së, po aq edhe të LDK-së dhe të PDK-së. Ne duam frymë bashkëpunimi, marrëveshje politike, ata vrap te Gjykata Kushtetuese. A e dini pse? Sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Gjykatës janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicioni PAN me Listën Serbe. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon e qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Kosovës,” ka thënë Kurti.
Ai tha se AAK, PDK dhe LDK kanë bërë ankesa të njëpasnjëshme në Gjykatën Kushtetuese, sepse sipas tij, këto parti, përdorën gjykatën për ta bllokuar procesin.
Kurti akuzoi se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses janë emëruar në kohën e PAN-it dhe kjo ka ndikuar që vendimet të mos merren me kohë
“Edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme. Që nga fillimi e deri te zgjedhja e Dimal Bashës kryetar, pra nga katër muaj e gjysmë, prej mesit të prillit deri në fund të gushtit, janë vonesa prej Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë vonuar për ta trajtuar ankesën e AAK-së, pastaj atë të PDK-së dhe LDK-së.
Pra, dy të tretat e kohës na i ka marrë Gjykata Kushtetuese. Opozita orë e çast atje, a e dini pse? Sepse 5 nga 7 gjyqtarë të saj janë zgjedhur në vitin 2018, në kohën e PAN-it dhe Listës Serbe. Ne i fituam 3 herë zgjedhjet, ata mbetën sërish në Gjykatë, thuajse është ende viti 2018”, ka thënë ai.