Turizëm pa rrugë: Rugova përballet me të njëjtat probleme çdo vit

Turizëm pa rrugë: Rugova përballet me të njëjtat probleme çdo vit

Aktuale September 07, 2025 - 23:34

Gryka e Rugovës në Bjeshkët e Nemuna konsiderohet një nga kanionet më të gjata dhe më të thella të Evropës me një gjatësi prej 25 km dhe thellësi prej 1 mijë metrash. Ky aset sjell mundësi të mëdha për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, por ky synim i afaristëve dhe banorëve të kësaj ane nuk po arrihet në mungesë të një rruge të sigurt.

Në verën e vitit 2022, rruga e Rugovës ishte në gjendje të rëndë. Me të njëjtën gjendje të rrugës dhe pa asnjë investim të ri, vazhdoi edhe sezoni dimëror i turizmit në vitin 2023.
E madje as vera e kaluar nuk solli ndonjë ndryshim për rrugën, të cilën e shkelën mijëra vizitorë, mes tyre edhe shumë turistë të huaj.

Edhe kjo sezon po mbyllet me të njëjtën kërkesë nga banorët dhe afaristët e turizmit: kushtin më elementar për shërbimet që ofrojnë – një rrugë të sigurt.

“Që kur është ndërtuar, nuk është investuar më në atë rrugë. Edhe pse këtë vit kanë filluar disa riparime, ato ende nuk janë përfunduar që nga pranvera. Ka pasur gjithsej 12 ose 13 pika ku është dashur të intervenohet, por akoma nuk kanë përfunduar. Rruga është shkatërruar pothuajse krejtësisht”, deklaroi Flamuri një banor i kësaj ane.

Agron Nikqi është njëri nga investitorët e parë me hapjen e një restoranti në Rugovë. Ai kujton se ishte pikërisht asfaltimi i kësaj rruge dy dekada më parë që e nxiti të investonte në pronën e tij private. Por, më vonë e njëjta rrugë iu shndërrua në pengesë, duke i sjellë shumë vështirësi atij dhe afaristëve të tjerë.

“Vera nuk ka qenë e mirë për turizëm, sepse opinionet që morën hov për rrugën, e cila është në gjendje jo të mirë, kanë ndikuar negativisht. Një pjesë e mysafirëve nuk kanë ardhur pikërisht për shkak të rrugës. Prandaj, kjo verë nuk ka qenë e mirë për afaristët e Rugovës”, tha Nikqi.

E njëjta barrë për rugovasit dhe pronarët e bizneseve pritet edhe gjatë sezonit dimëror turistik. Arsyeja është se niveli qendror ka arritur të miratojë vetëm projektin e fizibilitetit, përmes të cilit do të bëhen matjet për intervenim në rrugë. Duke e ditur terrenin e vështirë për punime, kjo lë të kuptohet se edhe ky dimër do të jetë i vështirë për ngjitjet drejt Rugovës./rtk