
Bajrami: Kurti po synon shkatërrimin e Republikës së 17 Shkurtit, për të ndërtuar një të tretë imagjinare
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar atë për “tentativë për të rrënuar Republikën e 17 Shkurtit” dhe për të ndërtuar një “Republikë të tretë imagjinare”.
Në një postim në rrjete sociale, Bajrami thekson se qeverisja e Kurtit është karakterizuar nga rekord dështimesh në të gjitha fushat kryesore: ekonomi, drejtësi, energji dhe sundim të ligjit.
“Albin Kurti po punon ta shkatërrojë Republikën e Kosovës dhe të ndërtojë ‘Republikën Imagjinare të Tretë’. Po synon Republikë ku gjithë mekanizmat e shtetit janë në funksion të partisë dhe atij personalisht”, shkroi Bajrami në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.
Bajrami hedh poshtë pretendimet e Kurtit për sukses në menaxhimin e krizave, duke përmendur shembuj konkretë.
“Kurti flet për menaxhim të shkëlqyeshëm të krizës energjetike, por në realitet kemi pasur tri herë rritje të çmimit të energjisë, dhe bizneseve u është rritur për 300%”, tha Bajrami.
Në fushën e ekonomisë, ajo thotë se rritja ekonomike është artificiale dhe e lidhur kryesisht me inflacionin.
“Në mandatin e tij ka ndodhur rritja më e madhe e çmimeve në histori të vendit, ndërsa inflacioni ka arritur nivelin kumulativ prej 20%”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së gjithashtu vuri në pah dështimet në drejtësi dhe në investime publike.
“Reforma e vetme në drejtësi ka qenë ajo që u mundëson të dënuarve për krime të rënda të vuajnë dënimin nga shtëpia”, u shpreh Bajrami.
Për sa i përket çështjeve sociale, Bajrami kujtoi premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve.
“U premtuan 160 çerdhe për nënat lehona. Asnjëra nuk u ndërtua. Në vend të kësaj, u dhanë lëmosha si mjet elektoral”.
Ajo ngriti shqetësime serioze mbi keqpërdorimin e ndërmarrjeve publike dhe kontratave qeveritare.
“Qeveria ka lidhur mbi 2.500 kontrata njëburimore gjatë mandatit – një rekord që hap rrugë për korrupsion galopante”, tha Bajrami.
Sipas saj, ndërmarrjet publike “janë më të politizuara se kurrë më parë”, ndërsa borxhet afatshkurtra dhe afatgjata janë në nivele alarmante.