Diplomojnë 150 studentë në universitetin “Kadri Zeka”, Kurti: Festojmë fuqinë e dijes
Foto: Facebook

Diplomojnë 150 studentë në universitetin “Kadri Zeka”, Kurti: Festojmë fuqinë e dijes

Aktuale September 08, 2025 - 14:31

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 150 studentëve në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Kreu në detyrë i ekzekutivit tha se diplomimi nuk është vetëm sukses personal, ai është edhe premtim ndaj shoqërisë.

Kurti tha se universiteti publik "Kadri Zeka" që nga dita e themelimit është bërë vatër e dijes për mijëra të rinj e të reja, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava, por edhe nga Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë.

“Sot, universiteti ‘Kadri Zeka’ është një institucion i konsoliduar, me gjashtë fakultete e pesëmbëdhjetë programe studimi, tetë në nivelin Bachelor dhe shtatë sosh në nivelin Master. Riakreditimi pesëvjeçar i vitit të kaluar, dëshmon standardet e tij të larta akademike, përkushtimin e stafit dhe rolin e këtij universiteti si qendër e dijes dhe inovacionit në rajon”, deklaroi në këtë ceremoni Kurti.

Sipas tij, arsimi është e drejtë e pakushtëzuar.

“Kemi bërë arsimin e lartë publik falas që nga viti i parë i mandatit tonë, e Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vetëm në dy vitet e fundit ka ndarë mbi 1200 bursa për studentët e Universitetit të Gjilanit, me ç’rast edhe kemi rritur buxhetin për kërkime shkencore, si dhe kemi mbështetur avancimin e performancës në arsimin e lartë në shumë dimensione. Po investojmë në programe që lidhen ngushtë me tregun e punës, inovacionin dhe teknologjinë. Sepse, duam që studentët tanë të mos jenë vetëm të diplomuar, por edhe të punësuar, të mos jenë vetëm të punësuar, por edhe të suksesshëm dhe të mos jenë vetëm të suksesshëm, por edhe kontribuues në zhvillimin e vendit. Dhe ja ku jemi sot, në ditën që shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të jetës për 150 studentët e diplomuar dhe hap një dritare të re drejt së ardhmes së tyre dhe tonë në përgjithësi”, deklaroi tutje Kurti.

Image

Kurti, tutje tha se e nesërmja sigurisht që nuk do të jetë pa sfida, por, sipas tij, edhe me mundësi të shumta.

“Ju sot bëheni bartës të dijes dhe përgjegjësisë. Diplomimi nuk është vetëm sukses personal, ai është edhe premtim ndaj shoqërisë. Ju jeni të thirrur të bëheni mësimdhënës që formojnë gjenerata, juristë që mbrojnë ligjin, ekonomistë që zhvillojnë prodhimin e tregun, shkencëtarë që sjellin inovacione dhe qytetarë që ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më të zhvilluar e më demokratike. Sot festojmë jo vetëm diplomimin e 150 studentëve, por edhe fuqinë e dijes dhe të aftësive për të ndryshuar jetë e për të ndërtuar Kosovën tonë të dashur në nivele të reja të progresit. Diploma është vetëm një fillim. Vlera e saj qëndron tek ajo që do të bëni më pas, pra përdorimi është kuptimi, te ndikimi që do të keni te komunitetet tuaja, në fushëveprimtarinë tuaj dhe gjurma që do të lini në vendin tonë për popullin tonë”, deklaroi në këtë ceremoni Kurti.