IKD: Ministrat e qeverisë “Kurti II” kundërligjshëm ushtruan dy pozita
Foto: Laura Hasani

IKD: Ministrat e qeverisë “Kurti II” kundërligjshëm ushtruan dy pozita

Aktuale September 10, 2025 - 10:24

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin për “qeverisjen e kundërligjshme dhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre” gjatë qeverisë “Kurti II”.

Në raportin e IDK-së thuhet se Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë qartë që një person të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë. Megjithatë, shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë kanë vazhduar t’i mbajnë të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën dhe Ligjin.

"Mos lëshimi i zyrave të Qeverisë në detyrë nga personat që janë edhe deputetë të Kuvendit ka pasoja shumëdimensionale. Pos cenimit të sundimit të ligjit në Kosovë, kjo situatë ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë theksuar se nuk do të zhvillojnë takime me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë. Në anën tjetër, në kuptim të vendimit të Gjykatës Supreme, të gjitha vendimet të cilat merren nga anëtarët e qeverisë të cilët janë edhe deputet, janë të kundërligjshme. Në pamundësi për tu atakuar secili vendim, kjo situatë e mbush rendin juridik me vendime të kundërligjshme. Kjo situatë tërheq pas vetes edhe përgjegjësi penale, e cila përgjegjësi aktualisht është duke u shqyrtuar nga PSRK. Për më tepër, kjo situatë rrezikon të ketë implikime edhe në përzgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit", thuhet në raport.

Sipas raportit, qeveria “Kurti II” është karakterizuar si qeveri me ushtrues detyre.

"Një numër i madh i pozitave janë mbajtur për vite të tëra nga ushtrues detyre, pa u zhvilluar procedurat e rregullta të rekrutimit. Gjykata Supreme ka theksuar se çdo pozitë e mbajtur me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është e kundërligjshme dhe vendimet e nxjerra në këto rrethana janë të pavlefshme", thekson IDK-ja.

Sipas IDK-së, kjo praktikë, e kundërt me standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë, ka dëmtuar meritokracinë, ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka rritur potencialin për korrupsion.

IDK-ja thekson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm përjashtim, ndërsa proceset meritore të rekrutimit duhet të jenë rregull.