Gjykata Kushtetuese: E papranueshme ankesa e Ramës për Rregulloren e mbeturinave
Foto: Laura Hasani

Gjykata Kushtetuese: E papranueshme ankesa e Ramës për Rregulloren e mbeturinave

Aktuale September 10, 2025 - 11:01

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e shpallur të papranueshme kërkesën e tij për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve dhe plotësimeve të Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal më 5 dhjetor 2024.

Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës, e as akt i Qeverisë, por vetëm një akt nënligjor i miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Për këtë arsye, kërkesa e Ramës nuk e përmbushi kriterin e pranueshmërisë dhe Gjykata nuk ka hyrë në vlerësimin e pretendimeve të tij për shkelje të kompetencave komunale apo humbje të të hyrave.

Rama, më 3 shkurt, kishte dërguar kërkesën në Kushtetuese duke e konsideruar të paligjshme rregulloren e dhjetorit, e cila i jep kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” të drejtën për inkasimin e faturave dhe grumbullimin e mbeturinave në territorin e Prishtinës.

Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se rregullorja është e ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka obliguar Komunën e Prishtinës që t’i kthejë kompanisë “Pastrimi” paratë e inkasuara për një periudhë gjashtëmujore nga faturimi i mbeturinave.

Megjithatë, pavarësisht vendimeve, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar gjashtë kompani private për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, kontratë që do të mbetet në fuqi deri në dhjetor të vitit 2025.