ZKA: Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është efektiv

ZKA: Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është efektiv

Aktuale September 10, 2025 - 12:44

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i sistemit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024 dhe ka vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.

Në njoftimin e ZKA-së thuhet se rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

“Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve”, thuhet në njoftim.

ZKA-ja njofton se inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut.

“Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve”, thuhet tutje.

Lidhur me këtë auditim, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se mangësitë e identifikuara në funksionimin e sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje.

Për të rritur efektivitetin e trajtimit të ankesave, forcimin e inspektimeve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe koordinimin ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime.