
Eurodeputeti Mandl pret përfaqësuesit e OVL UÇK-së
Eurodeputeti Lukas Mandl ka pritur në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Gazmend Syla, të cilët i shprehën shqetësime lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.
Përmes një njoftimi për media të organizatave të dala nga lufta, bëhet e ditur se përfaqësuesit e OVL UÇK-së, në përbërje të Hysni Gucatit, kryetar dhe Gazmend Sylës, nënkryetar, paraqitën shqetësimet lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës sonë çlirimtare dhe të vlerave, mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës.
“Eurodeputeti Mandl i dëgjoi me vëmendje dhe mirëkuptim qëndrimet tona, për çka e falënderojmë sinqerisht. E lutem qe ta përcjellë këtë mesazh te kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe në institucionet përkatëse të shtetit të tij, duke i dhënë kështu zë dhe mbështetje kauzës sonë të drejtë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve OVL UÇK-së për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.
